Profesor i gjuhësisë në Universitetin e Kopenhagenit, një nga linguistët më të shquar të kohës, indoevropianist, komparatist i radhës së parë, studiues në zë i zhvillimit të gjuhëve kelte, armene, tokare e sllave, në dekadën e fundit të shekullit 19 e në fillim të shekullit 20 u mor intensivisht me studimin e shqipes.

Pedersen-i ishte formuar në traditat e mëdha daneze që fillojnë me R. Rask-un, dhe dha ndihmesën e tij të shquar në zhvillimet e shkëlqyera të shënuara me figurat e njohura më vonë si O. Jespersen, L. Hjelmslev apo K. Sandfeld. Studimet e tij historike e të krahasuara ndërlidhen me lëvizjen më të madhe të kohës të shënuar me emrat e K. Brugmann, E. Leskien, tek të cilët kishte mësuar. Për studimet albanistike vepra e H. Pedersen-it ka rëndësi të dorës së parë. Në dekadën e fundit të shekullit 19, albanologjia kishte shënuar rezultate që e kishin bërë shqipen dhe dijen për të njohur në rrethet e studiuesve të historisë e të krahasimit të gjuhëve indoevropiane. Siç e kishte paraqitur vetë, pasi të kishte dhënë shënimet themelore për historinë e jashtme të shqipes e të shqiptarëve, për zhvillimet lidhur me shkrimin e veprimtarinë tjetër rreth gjuhës në kohën e Rilindjes, për studimet krahasimtare shqipja kishte paraqitur interes qysh herët. Deziderata e madhe e gjuhësisë krahasimtare të shek. 19 kishte qenë që edhe shqipja të sillte dëshmi për sistemet e eptimeve indoevropiane të përbashkët. E dëshmuar vonë, me huazime të shumta, me zhvillime të mëdha në fushën e strukturës gramatikore, shqipja ato dëshmi nuk mund t'i jepte. Botimet e vona e të shpërndara, mungesat në regjistrimin e shqipes, të gjitha bashkë kishin bërë që në shek. 19 studimet për shqipen të mos ishin shumë të zhvilluara, vlerësonte me të drejtë. Kishte, madje, studiues që nuk e shihnin atë fare në radhën e gjuhëve indoevropiane. R. Rask kishte shënuar një nga provat themelore për karakterin indoevropian të gjuhës shqipe e kjo ishte ekzistenca e tri gjinive. A. Schleicher më 1850 kishte sjellë vështrime e analiza përmes të cilave nxirrte përfundimin se shqipja ishte gjuhë indoevropiane, sado që, ashtu si Rask, kishte gabuar në vendosjen e shqipes në afërsi me latinishten e greqishten. Këto interesime nuk kishin reshtur te kokat e komparativizmit. F. Bopp në ato vite vinte me studimin e tij të njohur për të provuar se shqipja ishte gjuhë indoevropiane pa lidhje të veçanta e specifike me asnjërën prej degëve të saj, as me latinishten e greqishten. Studiuesi që në përmasa krahasimtare interesimin për shqipen e bëri preokupim kryesor qe Gustav Meyer, i cili, përveç studimeve të veçanta për gramatikën e shqipes në kon-eptimin historik e krahasimtar, bëri më 1891 Fjalorin etimologjik të shqipes. Me veprën e gjerë të albanologëve të mëhershëm, ndër të cilët do përmendur J. G. von Hahn, e sidomos me veprën e Meyer-it, shqipja po hynte në rrethin e interesimeve më intensive të indoevropianistëve. Siç thoshte Pederseni, "puna e Gustav Meyer-it mbi zhvillimin e shqipes nga e parmja indoevropiane është ndjekur e plotësuar, ndërsa rezultatet kanë hedhur dritë mbi gjuhët e tjera indoevropiane".

Holger Pedersen, jo vetëm njohës i jashtëzakonshëm, po edhe ndër krijuesit e rrjedhave në fushën indoevropeistike, njohës dhe i zhvillimeve në kuadër të Lëvizjes shqiptare dhe me kontakte me botimet shqip të kohës, i informuar gjerësisht për gjithçka në fushën albanistike atëherë, ishte personaliteti më i përshtatshëm për të bërë vështrimin serioz kritik të trashëgimisë dhe kthesën e rëndësishme në studimet e mëtejme të kësaj gjuhe nga aspekti historik dhe krahasimtar. Siç mund të shihet në shkrimet e tij, ai e vlerësonte lart veprën e Meyer-it, por në të njëjtën kohë i nxirrte në pah mungesat dhe gabimet e saj, duke krijuar kështu pika të reja referimi në studimet e ardhme. Pas një vështrimi për disa etimologji të shqipes, qysh në dekadën e fundit të sh. 19 ai ndërmori regjistrimin dhe përshkrimin serioz të shqipes të dialektit çam, duke bërë njëherësh dhe një punë me peshë për kulturën: mblodhi dhe shënoi me saktësi të jashtëzakonshme tekste dhe përralla shqipe, të cilat u përkthyen më vonë nga ai vetë gjermanisht e nga të tjerët anglisht. Më 1900 botoi studimin për guturalet indoevropiane në gjuhën shqipe, në të cilin, përmes shqyrtimeve të gjithanshme etimologjike e të zhvillimit tingullor të shqipes, arriti të korrigjonte teorinë e Meyer-it për refleksin e guturaleve palatale në shqipen si s, z, th, dh, për të vendosur rezultatin që sot merret i verifikuar: palatalet i.e. në gjuhën shqipe kanë dhënë th, dh, d. Njëkohësisht ai zhvilloi teorinë për reflekset e labiovelareve në shqipen (para zanoreve të parme në s, z, ndërsa para zanoreve të tjera në k, g), duke dhënë kështu një ndihmesë me vlerë për gjuhësinë indoevropiane në diskutimet lidhur me numrin e radhëve të guturaleve në paragjuhën i.e. (velare e palatale a labiovelare, ose velare, palatale e labio-velare).

Një ndihmesë të rëndësishme paraqet dhe periodizimi që bënte ai me atë rast i zhvillimit të shqipes. Kontributet e tij të rëndësishme shtrihen dhe në fushën e zhvillimit të strukturës gramatikore të shqipes, konkretisht lidhur me gjininë asnjanëse, me çështjen e nyjave e të rasave, me çështjen e paskajores, etj. Pedersen-i kishte bërë vështrimin më serioz kritik lidhur me bindjen e përhapur atëherë për shkallën e ndikimeve të gjuhëve të tjera mbi shqipen dhe për karakterin e saj të vlerësuar, madje nga Mayer-i si 'gjuhë gjysmëromane'. Ai kishte dëshmuar se fjala ishte për teprime që dilnin nga mosnjohja e materialeve të shqipes, ashtu si dhe nga mosnjohja e rrugëve të zhvillimit të saj, duke arritur te përfundimi: 'ndikimi i latinishtes në strukturën morfologjike të shqipes ishte baras me zero', por duke theksuar njëherësh se hetohej një ndikim jo i vogël në fushën e fjalëformimit e të prapashtesave të ndryshme.
Pederseni e kishte shprehur mendimin e tij dhe për prejardhjen e shqipes nga ilirishtja jugore. Siç mund të shihet, në një vëllim jo të madh, ky dijetar krejtësisht i veçantë arriti të rivështronte shumë nga rezultatet themelore të albanologjisë para tij, të shqiptonte hipoteza e teori të reja për to dhe të hapte rrugë e debate që do të jenë objekt i kësaj shkence gjatë tërë shekullit vijues. Niveli shkencor i studimeve të tij për shqipen është ai që kishte shënuar për armenishten, për gjuhët keltike, për gjuhët sllave, për tokarishten apo për krahasimin e gjuhëve indoevropiane, pra niveli më i lartë i shkencës së kohës.

Studimet e Pedersen-it për albanologjinë janë të shpërndara nëpër botime e revista të ndryshme dhe kryesisht gjermanisht, diçka pak danisht e frëngjisht. Kjo ka qenë arsyeja pse në albanologjinë vendëse shpesh ato janë konsultuar në mënyrë të ndërmjetme. Disa prej studimeve të tij janë përkthyer më herët dhe janë botuar në raste të ndryshme, ndërsa disa të tjera janë vënë në dispozicion në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë. Në tërësi as përkthimet e bëra nuk kanë qenë të pranishme me qarkullim të gjerë në opinion.Këtu u mblodhën në një vëllim përkthimet ekzistuese dhe u shtuan përkthimet e teksteve që s'ishin bërë më parë në kuadër të serisë së ASHAK Vepra të albanologëve të traditës.
 
(Ky tekst është parathënie e veprës së Holger Pedersenit "Studime për gjuhën shqipe", që u botua kohë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës).

Akademik Rexhep Ismajli

Burimi: http://www.kosova.com/artikulli/15768
Aktualizimi i fundit ( më 26 tetor 2009 )