Ka lindur më 25 nëntor të vitit 1850 në Gros - Stechlitz të Austrisë. Fëmijërinë e vet e kaloi në Opeln, ku gjatë viteve 1860-1867 ka vijuar gjimnazin dhe shumë herët është vërejtur se ka interesim të madh për gjuhësi.
Më 1867 në Breslau ka filluar me studimin e filologjisë klasike. Ndikim të madh te Meyer - i i ri kanë pasur gjuhëtarët Martin Julius Hertz dhe Adolf Friedrich Strelin. Më 1871 ka promovuar disertacionin e doktoratës „De nominibus graecis copositus“.
Pastaj ka punuar si mësimdhënës gjimnazi në Ernestinun të Gota - s dhe gjatë kësaj kohe u përkushtohet edhe më tutje studimeve filologjike. Në vitin 1874 shpërngulet në Pragë dhe gjatë vitit 1875 si docent privat ka mbajtur ligjërata në këtë Universitet. Më 5 prill 1881 emërohet profesor inordinar dhe më 24 maj profesor ordinar për sanskritishte dhe gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Gracit. Ai më së shumti i ka kushtuar greqishtes së vjetër, të mesme dhe të re, shqipes, sidomos etimologjisë dhe etnografisë. Më 1897 për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore (të paralizës) e ka përfunduar punën e tij si ligjërues. Më 1900, pas tre vjetësh vuajtjesh të mëddha, ka vdekur.
Ai i ka dhënë një ndihmesë të madhe studimeve të gjuhësisë shqiptare. Qysh më 1883 ka botuar studimin e rëndësishëm me titull „Über die Stellung des Albanesischen im Kreise der indogermanischen Sprachen“, BB VIII (1884) („Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indoevropiane“), ku është argumentuar , ndër të tjera, që shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve evropiane veriore dhe ndryshon nga greqishtja dhe nga gjuhët italike në reflektimin e tektaleve qiellzore. (shih Sh. Demiraj, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë, 1988, f. 36)
Në studimet e tij ai është marrë me çështje të ndryshme nga fusha e morfologjisë historike, siç është çështja e formimit të shumësit të emrave, rruga e formimit të tyre, me studimin krahasimtar të numërorëve të gjuhës shqipe e të disa gjuhëve të tjera indoevropiane, me çështje të shumta fonetikës e të gramatikës historike e në mënyrë të veçantë me çështje të etimologjisë.
Ai ka nxjerrë shpeshherë konstatime të sakta shkencore siç është çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe që, sipas tij, rrjedh nga ilirishtja dhe përbën një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane. Por ai shpeshherë ka evoluar me pikëpamje të veta shkencore. Merita e tij është se ai i ka korrigjuar dhe avansuar tezat e veta shkencore. Kështu p. sh., në veprat e tij të para, ka pranuar një ndikim jo të vogël të latinishtes mbi strukturën morfologjike të gjuhës shqipe, por më vonë në disa raste ai e ka ndryshuar mendimin dhe ndoshta do të ketë bërë edhe më shumë ndreqje në qëndrimet e veta, sikur vdekja e parakohshme të mos e kishte rrëmbyer në kulmin e pjkurisë së tij. (Shih Sh. Demiraj, vep., e cit., f. 138).
VEPRAT E TIJ MË TË RËNDËSISHME PËR GJUHËN SHQIPE:
- Albanesische Studien, I, (1882);
- Etimologische Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strassburg, 1891;
- Kurzgefasste albanesische Grammatik, Leipzig, 1888;
- Zum indogermanischen ë - Perfectum auf die albanesische Formenlehre, botuar në „ Miscellanea di filologia e linguistica in memoriam di Napoleone Caix e Angelo Canello, Firenze, 1886;
- Die lateinischen Elemente im Albanesischen, botuar në: Gröbers Grundriss, I, I. Auflage (1888) etj.