Lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978.

Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e takimeve shkencore midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane në Bon. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa - Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë afër kufirit belg.

Më gjerësisht për veprimtarinë e tij, shih linkun: www.elsie.de/al