Lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë Jugore të Çekisë së sotme. Studioi së pari drejtësi dhe shërbeu në Vjenë si praktikant juridik me shërbim gatitor për karrierën e avokaturës. Pas një kohe të shkurtër, duke ndjekur një prirje të tij të kahershme, ai iu kthye degës së gjuhësisë.

Studioi indoeuropianistikë të krahasuar te P. Kreçmer, romanistikë te G. Majer - Lybke, gjermanistikë te R. Muth dhe sllavistikë te W. Vondrak e V. Jagiç. I shtyer nga ky i fundit që më 1907 iu përvesh studimit të shqipes. Jokli në këtë lëmë arriti një mjeshtri të madhe, solli këtu një frymë të re në gjerësi e në metodë dhe zgjeroi e thelloi qenësisht njohjen gjuhësore të shqipes. Metoda e tij del në shesh që me titullin e parë të veprës më të madhe albanistike Studien zur albanischen Etimologie und Wortbildung, (Vien 1911) (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), me të cilën u habilitua më 1911 në Universitetin e Vjenës. Etimologjia dhe morfologjia janë qenësisht përpjekjet e gjurmimeve të tij  në fushë të leksikut të shqipes. Qëllimi i kërkimeve të tij rreth historisë së fjalëve është më fort ky, që të mos mjaftohet vetëm me hetimin e burimit etimologjik të një fjale, po të japë një pamje sa më të plotë të fjalës, të formimit dhe të historisë së saj, të ndjekë këtë fjalë në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Prandaj, vlerat vetjake të veprave të Joklit janë thellësia dhe pushtimi i objektit nga të gjitha anët. Në vitin 1923 ai botoi veprën Linguistisch - kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen, (Berlin und Leipzig 1923) (Kërkime gjuhësore- kulturohistorike nga fusha e gjuhës shqipe), që me të drejtë konsiderohet kryevepra e tij. Studimet në këtë vepër i mbështet kryesisht në metodologjinë e njohur të Jakob Grimit, ku për bazë merren fjalët dhe sendet. Dhe në këtë mënyrë në vepër zënë vend edhe elementet e kulturës materiale dhe kështu ajo i tejkalon edhe caqet e linguistikës, ngase përfshihen edhe elementet e etnografisë shqiptare.
 
Për sa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes, Jokli është një pasardhës i Gustav Majerit. Ky i pat shënuar kësaj gjuhe vendin e një gjuhe satem (indoeuropiane lindore) me karakter verior. Jokli është ai që ka zbuluar huazime latine të pavëna re më parë në gjuhën shqipe edhe në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Veriut, në Kanun të Lekë Dukagjinit, si dhe në fushë të toponomisë. Në çështjen e lidhjeve të afërisë së shqipes me gjuhët indeuropiane motra, dijetari ynë e ka vërtetuar dhe thelluar rrugën  që pati rrahur G. Majeri domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore ngulen në brigjet e Mesdheut.
 
Në lidhje me prejardhjen e gjuhës shqipe Jokli mendon se shqipja është e afërt si me ilirishten, po ashtu edhe me trakishten. Në themel teza e Joklit do të jetë e drejtë, sepse gjurmë trake në Adriatik kishte diktuar që më parë K. Paç. Edhe Nopça kishte shprehur mendimin se ilirët ishin shtruar si mbishtresë përmbi një shtresë trake.

Vepra gjuhësore e Jokl-it, megjithëse me zhdukjen tragjike të tij, mbeti e pambaruar, paraqitet diçka tërësore në vetvete, tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij. Në fushë të fonetikës, për periudhën parahistorike të shqipes, ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë, si dhe në reflekset e likuideve silabike. Në konsonantizëm ai vuri re, ndër të tjera, reflektimin e sk- së indoeuropiane edhe me ç - në në shqipen. Në çështjen e guturaleve ai mbrojti gjer në fund teorinë e Pedersenit, sipas të cilës shqipja është e vetmja gjuhë indoeuropiane që ruan seri guturalesh të dalluara njëra nga tjetra gjer në ditët e sotme. Nga periudha historike ai ndoqi diftongimin e zanores oua, ue në fjalët si krua krue, duar, duer nga dorë, duke e gjurmuar atë në fazat e ndryshme të zhvillimit të tij (ou uo etj.) (Zur Geschichte des alb. Diphtongs - ua - ue, IF, 49 50 (1931 - 1932), mbi dëshmitë e dialekteve të dokumenteve të vjetra të shkrimit dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit. Në morfologji ai vërejti përdorimin e një kallëzoreje të moçme si emërore, sinkretizimin (përtjerjen) e rasave dhe ndërrimin e gjinisë së emrit, moshën mjaft të lashtë të nyjës së sprapme dhe dha sqarimin përfundimtar të disa trajtave të përemrit pronor, si juaj juej e taj tuaj të autorëve të vjetër të Veriut të ligjërimeve arbëreshe të Italisë. Në sistemin foljor ai gjurmoi trajtat e foljeve kauzative e denominative dhe, ndër të tjera, edhe historinë e përhapjes së paskajores. Vrojtime të reja i detyrohen atij edhe në lëmë të fjalëformimit, ndër të tjera në gjurmim të kolektivave e të deminutivave në mënyrë të veçantë në hetimin e kompozitave të gjuhës popullore e letrare.
 
Në pikëpamje bibliografike do përmendur këtu „Vjetarin indoeuropian“ (Indogermanisches Jahrbuch), ku Jokli ka redaktuar vit për vit pjesën që referon përmbi botimet e reja të albanistikës, seksioni VII që nga vëllimi IV, 1917, e gjer te XXIV, 1940.
 
Norbert Jokl-i u zhduk në maj të vitit 1942 prej regjimit nazist, në Vjenë, porse hollësitë e vdekjes së tij nuk dihen. Me këtë dijetar albanistika humbi një përfaqësues të madh, kurse populli shqiptar humbi një burrë, i cili, duke rrahur me frymë objektive ravën shkencore, u bë njëkohësisht dhe indirekt një mbrojtës i të drejtave tona nacionale.


Marrë nga librat „Eqrem Çabej“ (Tiranë 1990, fq. 180 - 185) dhe „Gjuha shqipe dhe historia e saj“, (Tiranë, 1988) të Shaban DEMIRAJT