Ka lindur në Gjakovë më 1909. Ka pasur një përgatitje të mirë shkollore franceze (ka kryer Liceun Kombëtar të Korçës dhe për tre vjet 1932 - 1935 studimet në Francë në fushën e gjuhësisë dhe të drejtësisë) dhe ka qenë njohës i mirë i shumë gjuhëve të huaja (i njihte diku 12 gjuhë). Këto janë dy parakushte që Selman RIZËS i mundësuan të krijojë një personalitet të madh dhe një akribi të rrallë shkencore në studimet e tij gjuhësore të mëvonshme.

Ishte njohës i mirë i gramatikës historike të shqipes (janë të njohura studimet e tij historiko - kritike mbi NYJAT, EMRAT, PËREMRAT e deri te FOLJET), zotërues i thellë i strukturës dialektore të shqipes dhe i stilistikës. Në vitin 1979 në Prishtinë u botua një përmbledhje e studimeve të tij me emrin “Studime albanistike”. Ky bagazh i njohurive të tij i hapën rrugë Selman RIZËS që me sukses t´i qaset studimit të autorëve të vjetër: Buzukut, Matrëngës, Bardhit, Budit dhe Bogdanit („PESË AUTORËT MË TË VJETËR NË GJUHËN SHQIPE“, ribotuar së fundi në Tiranë më 2003, nga SHB “TOENA”).
ASHAK - u ka botuar herë pas here studimet e tij me koleksionin “VEPRA 1”, më 1996, “VEPRA 3”, më 2003 dhe “VEPRA 4” më 2004.
Ka qenë po ashtu edhe hartues tekstesh, sidomos vlen të përmendet këtu gramatika e tij kontrastive shumë e mire e ashtuquajtur „Gramatikë e sërbo - kroatishtes“ (1952), me sqarime në gjuhën shqipe. (Për këtë shih më gjerësisht shkrimin e mr. Agim SPAHIUT me titull „Kontributi i Selman RIZËS në fushën e gramatikës kontrastive“, botuar në http://www.shkenca.org. Këto studime dhe të tjera bëjnë që Selman RIZA të konsiderohet një prej studiuesve  më eminentë  në gjuhësinë shqiptare.
Cilido studiues i mirëfilltë që e vështron sot veprën e tij, që në faqet e para, krijon përshtypjen se cilëndo çështje gjuhësore që e merrte për trajtim RIZA, sado e vogël qoftë ajo, për të nxjerrë përfundime të sakta, e shoshiste dhe e kundronte durueshëm nga shumë anë e aspekte. Ai i vinte në spikamë gjithnjë mendimet tezat dhe argumentet e të tjerëve për një çështje të caktuar, sepse kështu e kërkon shkenca e mirëfilltë, për të dhënë në fund mendimin e vet në mënyrën më bindëse. Ai shquhej për një pedanteri e korrektësi të madhe në studimet e tij. Por shpeshherë ishte edhe shumë i ashpër dhe kritik deri në pikë të fundit ndaj mendimeve të pambështetura  shkencorisht. Kishte guxim të madh për ta mbrojtur të vërtetën me çdo kusht, në çdo vend dhe në çdo kohë, pavarësisht nga pasojat.
Selman RIZA ka pasur një autoritet të madh në mesin e intelektualëve shqiparë të asaj kohe e më gjerë. Ai është çmuar lart nga të tjerët, por edhe dinte t´i çmonte të tjerët që ishin të “vlefshëm”. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i prof. Kostaq Cipos, shok i ngushtë i Lasgush Poradecit dhe i Mitrush Kutelit.
Idetë patriotike dhe qëndrimi i paepur e parimor i tij, sidomos për çështjet madhore, siç ishte çështja e pazgjidhur kombëtare, bën që ai shumë herë të burgoset e të internohet nga regjime të ndryshme (nga ai fashist qysh më 1939, pastaj më vonë nga ai komunist shqiptar dhe shovenist jugosllav). Me të “burgosej” shumëherë edhe vepra e tij


(Ky shkrim në PDF ...)